Në veri, dinari ende në qarkullim

 

Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës, sipas të cilit prej sot nxirret nga qarkullimi dinari serb, nuk ka penguar që qytetarët e Mitrovicës së Veriut të paguajnë me dinarë për gjërat që kanë blerë nëpër dyqane të ndryshme.

 

Milloradi, njëri nga qytetarët e rrallë nga kjo komunë i cili pranoi të flasë para kamerës, ka bërë të ditur për KosovaPress, se është në dijeni për vendimin e Qeverisë së Kosovës rreth ndalimit të dinarit, por që edhe sot ka blerë gjërat e nevojshme me dinarë.

 

Ai tha se do ta respektojë vendimin e Qeverisë së Kosovës atëherë kur ta respektojnë të gjithë qytetarët e asaj pjese.

 

“Me dinarë kam paguar. Po, kam dëgjuar për vendimin, por me dinarë tash për tash, si do të bëhet… Ku ta di, nëse të gjithë e respektojnë vendimin, normalisht do ta respektoj edhe unë”, ka thënë Milloradi.

 

Ndërkaq, edhe një pronar shqiptar i një dyqani në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicë të Veriut, u shpreh se myshterinjtë sot kanë paguar me euro, por serbët më shumë me dinarë.

 

“Myshterinjtë blejnë me euro edhe me dinarë, por serbët më shumë e përdorin dinarin”, theksoi ai.

 

KP raporton se situatë e ngjashme rreth qarkullimit të dinarit po mbretëron sot edhe në komunat e Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, të banuara me popullatë shumicë serbe.

 

Autoritetet e vendit thanë të mërkurën se nga 1 shkurti (sot) do të hyjë në fuqi Rregullorja e Bankës Qendrore mbi pagesat me para të gatshme në vend, por lanë të hapur mundësinë për një periudhë kalimtare për zgjidhjen e shqetësimeve të serbëve, të cilët vazhdojnë ta përdorin dinarin.

 

Ata këtë periudhë kalimtare e quajtën tranzicion të lehtësuar, duke mos precizuar se sa kohë do të zgjasë kjo periudhë.

Check Also

Suedia dërgon trupa në vijën e frontit të NATO-s, ushtria përgatitet për anëtarësim

Suedia do të dërgojë trupa luftarake në Letoni, ndërsa vendi po përgatitet për anëtarësimin e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *