Pse u hodh poshtë nga Kryesuesja kërkesa e grupit inicues për shkarkimin e Kryetarit të Zveçanit
Për dallim nga kryesuesit e tri kuvendeve komunale në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq dhe Zubin Potok, kryesuesja e kuvendit komunal në Zveçan, Selvete Kelmendi, e ka refuzuar kërkesën e grupit nismëtar për peticion për shkarkimin e kryetarit Ilir Peci. Rrjedhimisht, kërkesa nuk është dërguar fare në KQZ siç kanë bërë tri komunat tjera që kanë kërkuar sqarime. Gazeta Express ka parë kërkesën e iniciuesve dhe përgjigjen e kryesueses dhe ju sjellë detaje se çka thuhet në to.
Një grup prej tre personash në Zveçan ka marrë përsipër iniciativën për shkrimin e kërkesës për peticion, përmes së cilit synohet shkarkimi i kryetarit Ilir Peci, i cili doli fitues në zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga Lista Serbe dhe qytetarët serbë.
Gazeta Express e ka parë kërkesën e grupit nismëtar, në të cilën thuhet se “ky kryetar nuk ka legjitimitet që t’i përfaqësojë qytetarët të cilët në shumicë absolute kanë refuzuar të votojnë në zgjedhjet e prillit 2023”.
Gjithashtu, iniciuesit e kërkesës për peticion thonë se “komuna nuk është në funksion dhe nuk ua ofron shërbimet bazike qytetarëve që ka për obligim t’ua ofrojë në pajtim me kompetencat komunale, por edhe se kryetari është duke marrë vendime që janë në kundërshtim me interesin e përgjithshëm publik”.
Kjo kërkesë është refuzuar nga kryesuesja e kuvendit komunal të Zveçanit, Selvete Kelmendi.
Në përgjigjen e Kelmendit, të cilën e ka parë Express, thuhet se kërkesa refuzohet “për faktin se kjo kërkesë bie në kundërshtim me dispozitat e nenit 4, paragrafi 3, e në veçanti paragrafi 2 i nenit 5 të Udhëzimit Administrativ (MAPL) nr. 02/2023 për Iniciativën e Qytetarëve për Largimin e Kryetarit të Komunës nga Funksioni”.
Më tutje thuhet se “bazuar në dispozitat e nenit 5 paragrafi 2 i Udhëzimit Administrativ (MAPL) nr. 02/2023, në rastin e inicimit të procedurës për shkarkim të kryetarit nga detyra, grupi nismëtar duhet të ketë parasysh veprimet dhe hapat e nevojshëm procedural të cilët janë përcaktuar qartë në këtë dispozitë”.
Dje zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka thënë se ky institucion ka pranuar të martën tri kërkesa të ndara nga kryesuesit e kuvendeve komunale në Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut. Ai ka thënë se përmbajtja e kërkesave është e njëjtë.
Elezi tha se tre kryesuesit kanë kërkuar nga KQZ që të ofrojnë informata zyrtare për anëtarët e grupit iniciues se a janë votues të komunave përkatëse dhe informata për numrin e përditësuar të votuesve të regjistruar në këto komuna që të mund të llogaritet numri minimal i nevojshëm i nënshkrimeve prej 20 për qind.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar në adresën zyrtare tri kërkesa të ndara nga Kryesuesit e Kuvendeve Komunale për Leposaviq, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok. Përmbajtja e këtyre tri kërkesave është e njëjtë. Së pari, të tre Kryesuesit e Kuvendeve Komunale kanë kërkuar nga KQZ, që t’i ofrojmë informatat zyrtare për anëtarët e grupit inicues se a janë votues të komunave përkatëse. Së dyti, të njëjtit kanë kërkuar që t’i ofrojmë informatat lidhur me numrin e përditësuar të votuesve të regjistruar në këto komuna, mbi bazën e të cilit përllogaritet numri minimal i nevojshëm i nënshkrimeve prej 20%.”
Ai ka thënë se brenda pesë ditëve do të japin përgjigje.
“Mund t’iu konfirmoj se këto kërkesa janë duke u trajtuar dhe brenda afatit 5 ditor do të përgjigjemi. Për këto përgjigje, do të bashkëpunojmë edhe me Agjencinë për Regjistrimin Civil pasi lista votuese buron nga ekstrakti i Regjistrit Qendror Civil.”
Këto kërkesa synojnë nisjen e peticionit për shkarkimin e kryetarëve nga detyra e procedurat për një gjë të tillë përcaktohet në Udhëzimin Administrativ të hartuar nga MAPL.
Ky udhëzim u hartuar me qëllim që të hapet rruga për zgjedhje të reja në katër komunat veriore – Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq dhe Zveçan.
Meqë opsioni i dorëheqjeve ishte i papranueshëm për krerët e shtetit, MAPL hartoi këtë udhëzim.
Erden Atiq, Izmir Zeqiri, Lulzim Peci dhe Ilir Peci u zgjodhën kryetarë të komunave përkatëse pasi fituan zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u karakterizuan me dalje të ulët të qytetarëve, pasi të njëjtat u bojkotuan nga Lista Serbe dhe qytetarët serbë.
Mirëpo, hyrja e kryetarëve në objektet komunale shkaktoi pakënaqësi të madhe te qytetarët serbë, të cilët protestuan dhunshëm. Gjatë këtyre protestave, më së shumti në Leposaviq, pati pjesëtarë të KFOR’it, Policisë dhe gazetarë që u lënduan. /GazetaExpress/