Brnabiq tha se nuk do t’i zbatojnë marrëveshjet me Kosovën, Gërvalla: Politika e zbutjes ndaj Serbisë ka dështuar

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka reaguar ndaj qëndrimit të Serbisë pas deklaratës së miratuar nga liderët e Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor në Bruksel.

Reagimi i ministres Gërvalla vjen pasi kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, pas miratimit të deklaratës së përbashkët, përmes një letre ka bërë të ditur se “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksi i zbatimit, siç i referohet në këtë deklaratë, konsiderohet e pranueshme vetëm në kontekstin në të cilin nuk përfshin njohjen e Kosovës ‘de facto’ dhe ‘de jure’”.

Gërvalla i ka bërë ftesë komunitetit ndërkombëtar që të heq dorë nga politika e zbutjes së Serbisë.

“Serbia shprehimisht shpreh refuzimin e saj për të zbatuar dispozitat e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të pranojë se politika e zbutjes ndaj Serbisë ka dështuar. Tani nevojitet një ndryshim thelbësor”, ka shkruar Gërvalla në një postim në platformën “X”, transmeton KosovaLajm.net

 

Më tej në letrën e kryeministres serbe, të cilën e ka publikuar ministrja Gërvalla, thuhet se “Republika e Serbisë nënvizon se kjo përshtatje nuk përfshin pranimin e anëtarësimit të Kosovës në OKB, në sistemin e organizatave të OKB-së dhe agjencive, e as të ashtuquajturin integritetin territorial të Kosovës”.

Më tej në letër shtohet se kjo deklaratë konsiderohet si ligjërisht jo obliguese dhe nuk e ka as peshën e marrëveshjes ndërkombëtare sipas së drejtës ndërkombëtare.

Ky qëndrim i Serbisë e vë në dyshim edhe pranimin nga ana e saj të obligimeve që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksit për zbatimin e saj, pasi në to përfshihet edhe moskundërshtimi për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe respektimi i integritetit territorial.

Në Deklaratën e miratuar të mërkurën mbrëma në Bruksel nga liderët e BE-së dhe ata të Ballkanit Perëndimor u bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta zbatojnë pa parakushte dhe në tërësi këtë marrëveshje.

“U bëjmë ftesë të dyja palëve që në tërësi ta zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksin e zbatimit të tij, si dhe të gjitha marrëveshjet nga e kaluara, pa asnjë vonesë të re dhe pa parakushte”, thuhet më tej në pjesën që u kushtohet raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Më 27 shkurt, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për normalizim marrëdhëniesh.

Pajtueshmëria për aneksin e zbatimit është rritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars./KosovaLajm/

Check Also

Suedia dërgon trupa në vijën e frontit të NATO-s, ushtria përgatitet për anëtarësim

Suedia do të dërgojë trupa luftarake në Letoni, ndërsa vendi po përgatitet për anëtarësimin e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *