Njësi të ndryshme të Policisë së Kosovës, përfshirë këtu njësitë speciale, hetues të departamenteve të ndryshme janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” për të protestuar në lidhje me kërkesat e tyre të kategorizimit të shtesave dhe rrezikshmërinë.
Kjo është protesta e dytë e organizuar për të kërkuar nga Qeveria e Kosovës plotësimin e kërkesave të rrezikshmërisë dhe shtesave të tjera.
Në lidhje me pakënaqësitë e tyre, ka reaguar asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Komunës së Prizrenit, Selman Sokoli.
Sokoli përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se disa protestues pa maska e të cilët janë nga Prizreni, i njeh dhe siç u shpreh ai janë militantë të PDK-së.
Ai kërkoi që ata t’i heqin uniformat e policisë dhe kartelat e PDK-së.
“Kosova ka votu masivisht Vetëvendosje dhe koalicionin e saj për të mos u shantazhuar Qeveria. Disa nga Prizreni, pa maska i njohim si militantët e PDK-së, kështu që lëreni hajgaret, hiqni uniformat, edhe kartelat e PDK-së që i keni në formën e atyre të pasluftës me shqiponjë dhe dilni hapur krahë për krahë me Rashit Qalajn”, ka shkruar Sokoli teksa ka shpërndarë postimin e sotëm të Ministrit Sveçla në lidhje me këtë protestë.