Krasniqi: Modelin e qeverisjes në Prizren ia ofrojmë Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vizituar sot qytetin e Prizrenit.

PDK-ja thotë se “kryetari Shaqir Totaj me ekipin e tij janë duke transformuar kryeqytetin historik e kulturor”.

“Kryetari Krasniqi, i shoqëruar nga Kryetari Totaj, përcolli nga afër punimet në transitin e ri, një projekt infrastrukturor që kishte qenë i bllokuar për më shumë se 15 vite, ndërsa sot është i përfunduar dhe po shfrytëzohet nga qytetarët. Gjatë kësaj vizite, Kryetari Krasniqi mori pjesë edhe në nisjen e punimeve për revitalizimin e rrugës “Shuaib Spahiu”, e cila do të lidhet me Shatërvanin, për t’i dhënë një tjetër pamje të bukur Prizrenit”, thuhet në njoftim.

Ai tha se ky model i qeverisjes së mirë, të cilën Kryetari Totaj e ka instaluar në Prizren, është modeli që PDK i ofron Kosovës.

“Prizreni, me qeverisjen e Kryetarit Totaj, është rikthyer në një model të qeverisjes së mirë. Ky është modeli të cilin ne ia ofrojmë qytetarit të Kosovës edhe në nivelin qendror. Ky është modeli që i duhet Kosovës, i cili, fatkeqësisht, sot po i mungon shumë vendi tonë. Ky është modeli që kryen punë, i mban premtimet dhe është në shërbim të qytetarëve. Këtë model, ne jo vetëm që do ta ofrojmë dhe do ta promovojmë, por edhe do ta zbatojmë në të ardhmen”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkaq, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se ekipi të cilin ai e udhëheq, është i përkushtuar që të bëjë punë të mira, të transformojë qytetin dhe të përmirësojë cilësinë e jetesës së qytetarëve të Prizrenit.

“Prizreni është shndërruar në një qytet ku vazhdimisht po punohet. Projekti ynë i radhës është revitalizimi i infrastrukturës së pjesës së vjetër të qytetit. E gjithë kjo pjesë do të lidhet me Shatërvanin, duke u bërë një zonë e bukur turistike. Përmes zhvillimit të turizmit, do të ngrisim edhe ekonominë në qytetin tonë”, ka thënë Totaj.

Më tutje në komunikatë thuhet se “Kryetari Krasniqi dhe Kryetari Totaj vizituan edhe Shoqërinë Kulturore Artistike “Agimi”. Kryetari Krasniqi uroi trupën e valltarëve të SHKA ”Agimi” pozitën e tretë në festivalin më të madh botëror të valleve “Cheonan World Dance Festival” në Korenë Jugore. Ndërsa kryetari i SHKA “Agimi”, Festim Bytyqi, falënderoi Kryetarin Totaj për plotësimin e të gjitha premtimeve dhënë kësaj shoqërie, madje edhe më shumë”.

“Në fund të vizitës së tij në Prizren, Kryetari i PDK-së takoi edhe një grup të bujqve dhe fermerëve të këtij qyteti. Bashkë diskutuan për sfidat me të cilat ata janë ballafaquar gjatë këtij viti në kultivimin dhe shitjen e produkteve të tyre. Bujqit falënderuan qeverisjen lokale për mbështetjen e parezervë, nga furnizimi me mekanizma bujqësorë deri te subvencionet e ndryshme për zhvillimin e veprimtarisë së tyre”, përmbyllet njoftimi.

Check Also

Suedia dërgon trupa në vijën e frontit të NATO-s, ushtria përgatitet për anëtarësim

Suedia do të dërgojë trupa luftarake në Letoni, ndërsa vendi po përgatitet për anëtarësimin e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *